Ka përfunduar seanca e jashtëzakonshme ku është diskutuar për cështjen e furnizimit me ushqim në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Pas rreth katër orëve diskutim, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka prezantuar rezolutën, por nuk është hedhur në votim në mungesë kuorumi.
Berisha kërkoi që me urgjencë të zgjidhet kjo çështje dhe që të japin dorëheqje udhëheqësit e Ministrisë së Mbrojtjes.
“Kuvendi i Kosovës kërkon nga qeveria, Ministria e Mbrojtjes që me urgjencë të zgjidh çështjen e furnizimit me ushqim si dhe me të gjitha pajisjet tjera të nevojshme. Dy, zyrtarët përgjegjës në Ministrinë e Mbrojtjes duhet të japin dorëheqje, ministri i FSK-së, zëvendësministri, sekretari i përgjithshëm dhe gjithë hierarkia përgjegjëse në administratën e ministrisë. Tre, kërkohet nga Prokuroria e Shtetit që të hapet procedurë ligjore për të hetuar rastin duke përfshirë edhe dyshimet për FSK-në për çështjet të cilat kanë të bëjnë me interesa korruptive”, tha Berisha gjatë prezantimit të rezolutës.