Kosova po zbrazet çdo ditë e më shumë në heshtje, pa e thënë askush zyrtarisht se pse është rritur fluksi i udhëtarëve për 60% më shumë se para një viti në Aeroportin “Adem Jashari”, pa e llogaritur edhe rritjen e udhëtimeve të kosovarëve në aeroportin e Shkupit.
Gjendja e rëndë ekonomike, inflacioni dhe rritja e çmimeve të shportës së konsumit ditor, janë bërë të pa përballueshme për qytetarët dhe kjo krizë ka shpërthyer me largime masive të rinisë kosovare dhe shtresës së mesme nga vendi në drejtime të shteteve të BE-së dhe përtej saj.
Qeveria nuk ka matje për të deshifruar publikisht realitetin e hidhur, duke treguar se çka ka ndodhur që udhëtimet nga Aeroporti “Adem Jashari”, janë rritur për 60% më shumë krahasuar me një vit më parë.
Ish kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës dhe eksperti për diversitetin ekonomik në Kosovë e rajon dhe vrojtuesi më i saktë i procesit të ndryshimeve Safet Gërxhaliu, rritjen e udhëtimeve në Aeroportin “Adem Jashari” e quan “largim i kosovarëve në heshtje , që është më i rrezikshëm se egzodi”.
“Mungesa e stabilitetit politik dhe mungesa e perspektivës ekonomike dhe evropiane po e rrit ankthin e kosovarëve për të ardhmen.
Masat ndëshkuese nga Bashkimi Evropian dhe paralajmërimet për luftë eventuale me Serbinë, kanë lënë pasoja dhe vazhdojnë akoma të sjellin panik tek qytetarët”, thotë Gërxhaliu dhe shton:
“Në Kosovë po ndodh një largim masiv, por këtë herë në heshtje dhe pa shumë vëmendje. Pamjet nga pritjet në Aeroportin “Adem Jashari” dhe aeroporte të rajonit, e në veçanti Aeroporti i Shkupit gjatë gjithë vitit, tregojnë për një vlug të largimit nga Kosova.
Ndërsa qeveria e justifikon këtë me pushimet verore dhe vizita familjare.
Por, cili është realiteti?
E vërteta është më e komplikuar se ajo që e mendon Qeveria. Kjo ikje është reflektim i mungesës së perspektivës dhe ngulfatjes që shumë të rinj dhe profesionistë po përjetojnë në vendin tonë.
Kjo ikje e heshtur përfaqëson një krizë të thellë, një mungesë të shpresës. Të rinjtë e diplomuar dhe profesionistët po largohen pa zhurmë drejt vendeve të BE-së dhe përtej saj. Largimi i tyre është më i rrezikshëm se ndonjë eksod masiv, pasi ndodh pa u vënë re dhe pa reagim nga institucionet”, thotë Safet Gërxhaliu.
Bizneset po mbyllen, sfidat po shtohen, Kosova pa fuqi punëtore
Kosova më nuk e ka luksin e fuqisë punëtore që e kishte duke vrapuar dhjetëra veta kah cila do veturë që ndalonte afër lokacioneve ku shiteshin punëtorët nga mëngjesi deri në mbëmje.
Tregu i punës në Kosovë po mbushet popullatë nga Bangladeshi , Afrika dhe ata janë duke e rritur dominimin në tregun ditor kosovar.
“Largimi po e shkatërron ekonominë e Kosovës”,nënvizon eksperti Gërxhaliu dhe shton: “Sektori privat po përballet me sfida të mëdha për të gjetur punonjës të aftë, ndërkohë që bizneset po mbyllen për shkak të mungesës së fuqisë punëtore dhe klientëve. Ikja e konsumatorëve dhe fuqisë blerëse po e varfëron më tej ekonominë tonë, duke e bërë të varur nga remitencat.
Fluturimet nga Aeroporti “Adem Jashari” janë rritur me 60% krahasuar me vitin e kaluar, pa përfshirë ata që largohen përmes Shkupit. Ndërsa qeveria nuk ka marrë masa për ta adresuar këtë krizë, duket se prioritetet e institucioneve janë të tjera. Përmes gjobave ndaj bizneseve, duket se po kontribuojnë në zbrazjen e mëtejshme të vendit.
Situatën aktuale e rëndon edhe më tepër lajmi se në verën e ardhshme është paralajmëruar zbatimi edhe i Sistemit të dytë Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i cili u kërkon udhëtarëve nga vendet që kanë regjim pa viza me BE-në, të aplikojnë online për lejen e hyrjes.
Nëse kjo gjendje vazhdon, Kosova do të humbasë një pjesë të madhe të kapitalit të saj njerëzor, duke u kthyer në një vend me pak mundësi reale për të rinjtë dhe profesionistët. Ky largim i heshtur është një krizë që po minon themelet e shoqërisë dhe ekonomisë sonë”, thotë Gërxhaliu./Telegram News