Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka reaguar lidhur me emertimin e prindërëve si “Prind 1” dhe “Prind 2” në një shkollë të Prishtinës.
Përmes një njoftimi në Facebook, Pacolli tha se një gjë e tillë gërryen vlerat tradicionale të familjes dhe se përdorimi i terminologjive të tilla s’përfaqëson vlerat dhe normat e shoqërisë kosovare.
“Në një incident të fundit në një shkollë në Kosovë, u përdorën termat “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, duke ngritur shqetësime serioze për erozionin e vlerave tradicionale familjare. Në Kosovë, familja nuk është vetëm një njësi sociale, por një institucion i shenjtë, i thellësisht i rrënjosur në kulturën dhe historinë tonë. Përdorimi i termave të përgjithshëm si “Prindi 1” dhe “Prindi 2” duket të jetë një përpjekje për të imponuar standarde që nuk pasqyrojnë vlerat dhe normat e shoqërisë së Kosovës”, tha Pacolli.
Më tej, Pacolli tha se duhet bërë rezistimi i përpjekjeve për të zvogëluar rolin e familjes.
“Duhet të rezistojmë përpjekjeve për të zvogëluar rolin e shenjtë të familjes në shoqërinë tonë, duke imponuar standarde që nuk janë në përputhje me identitetin tonë kombëtar. Është e drejtë e secilit të jetë i lirë në orientimet e veta, por me çfar të drejte, u imponojmë fëmijëve mohimin e të drejtës që të përdorë emërtimin baba dhe nënë?”, theksoi ai. /TelegramNews/