Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, njoftoi se Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës ia dorëzoi raportin e dokumentimit me të gjeturat e kulturocidit serb në Kosovë.
Në një postim në Facebook ai sqaroi se raporti është rezultat i punës së komisionit shtetëror të emëruar nga qeveria, me anëtarë nga institucionet shtetërore dhe profesionale.
“Raportin e dokumentimit me këto të gjetura dhe rekomandimet për veprimet e mëtejme ia dorëzuam Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës. Raporti është rezultat i punës së Komisionit shtetëror të emëruar nga Qeveria, me anëtarë nga institucionet shtetërore dhe profesionale. Nuk do të ndalemi për asnjë moment në betejën tonë për drejtësi e dëmshpërblim karshi Serbisë”, tha Çeku.
Ministri më tej tha se projekti gjenocidal serb kishte shënjestruar edhe trashëgiminë kulturore të Kosovës.
“Gjatë luftës, krahas krimeve të shumta të luftës, projekti gjenocidal serb kishte shënjestruar edhe trashëgiminë kulturore të Kosovës. Kulturocidi serb në Kosovë ishte me pasoja tronditëse. 1784 monumente të shkatërruara, 3724 artifakte të grabitura, 175 biblioteka të shkatërruara, 1.7 milion libra shqip të asgjësuar, dhjetëra mijëra dokumente arkivore të monumenteve të grabitura, qindra vepra arti të dëmtuara e vjedhura”, shtoi Çeku.