Ishin gjashtë muaj të ngarkuar për ambasadorin e Kinës, Han Chunlin, në Rumani.
Mes institucioneve që vizitoi në këtë vend ishin edhe dy prej universiteteve më të mira mjekësore të Rumanisë, ku promovoi mjekësinë tradicionale kineze.
Detajet nga diskutimet me dyer të mbyllura midis ambasadorit dhe përfaqësuesve të këtyre universiteteve nuk dihen plotësisht, por kontaktet diplomatike të Hanit dhe të Ambasadës kineze në Bukuresht janë duke arritur rezultate.
Edhe Universiteti i Mjekësisë dhe Farmacisë Carol Davila në Bukuresht (UMF Bukuresht), edhe Universiteti i Mjekësisë dhe Farmacisë Grigore T. Popa në Iasi (UMF Iasi) – që udhëheqin disa prej programeve më të njohura mjekësore të Rumanisë – kanë organizuar tash e sa vite ngjarje për mjekësinë tradicionale kineze, si për stafin, ashtu edhe për studentët, si dhe udhëtime studimore me pagesë në Kinë.
Të dyja universitetet ofrojnë, po ashtu, kurse për mjekësinë tradicionale kineze, ndërsa UMF Iasi pritet të nisë ligjërata për të në vjeshtë.
Programet e tjera mjekësore në universitetet rumune, si Universiteti i Transilvanisë i Brasovit dhe Universiteti Vasile Goldis Western i Aradit, kanë përfshirë gjithashtu mjekësinë tradicionale kineze në kurrikulat e tyre. Brasov ofron diplomë master në këtë fushë, ndërsa Arad operon me një qendër të mjekësisë tradicionale kineze në kampusin e tij.
Në këtë kontekst, angazhimi i vazhdueshëm i zyrtarëve kinezë ka sjellë një histori suksesi në përpjekjet e Pekinit për të forcuar ndikimin e tij jashtë vendit dhe për të promovuar mjekësinë tradicionale kineze, e cila përqendrohet rreth praktikave të tilla si akupunktura, tai chi dhe përdorimi i ilaçeve bimore për trajtimin e problemeve të ndryshme shëndetësore.