Jo vetëm Greqia, por edhe Shqipëria do të marrë ndihmë emergjente nga Bashkimi Europian për të përballuar situatën e krijuar nga zjarret.
Sipas Komisionit Europian, Qendra e Koordinimit të Reagimit Emergjent të Komisionit Evropian ka mobilizuar menjëherë burimet ajrore dhe tokësore të zjarrfikësve nga disa vende evropiane që janë pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile. Mbështetja për Shqipërinë përfshin një avion ushtarak shumëfunksional nga Rumania me kapacitet 6 tonë ujë.
Avioni pritet të mbërrijë përgjatë kësaj të mërkure në Shqipëri, sic sqaroi Balazs Ujvari, zëdhënës i Komisionit Evropian. Ndërkohë që mbështejta për Greqinë përfshin dy avionë zjarrfikës nga Italia, një helikopter nga Franca dhe një nga Serbia. Për më tepër, ekipet e zjarrfikësve në tokë janë vendosur nga Çekia, Franca, Italia, Serbia dhe Rumania, ndërsa zjarrfikësit rumunë, maltezë dhe moldavë, ishin ndër reaguesit e parë që luftuan me zjarret në Greqi. Komisioni thotë se po monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të dërgojë ndihmë të mëtejshme sipas nevojës.
Si pjesë e masave të saj të gatishmërisë për sezonin e sivjetshëm të zjarreve, BE-ja ka përmirësuar Rezervën Evropiane të Mbrojtjes Civile, e cila tani përfshin 28 aeroplanë dhe 4 helikopterë të stacionuar në 10 shtete anëtare. Për më tepër, gjatë sezonit të zjarreve, mbi 540 zjarrfikës nga 12 vende janë vendosur në vende kyçe në të gjithë Evropën, të gatshëm për të ndihmuar brigadat lokale të zjarrfikësve kur është e nevojshme.
Shqipëria dhe Greqia aktivizuan Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile, pasi u përpoqën të vendosnin nën kontroll zjarre të shumta, të cilat kanë përfshirë jugun e Shqipërisë dhe periferitë veriore të Athinës. Ndihma vjen gjithashtu pasi BE ka njoftuar injektimin e 600 milionë eurove në mekanizmin mbrojtës, për të përforcuar kapacitetet zjarrfikëse nga ajri, përballë numrit në rritje të zjarreve që bien në kohë vere në Evropë./tch