Deklaratat e Qeverisë së Kosovës për hapjen e urës mbi lumin Ibër kanë zgjuar reagime të shumta nga ndërkombëtarët por edhe opozita në vend.
SHBA dhe QUINT nuk e kanë përkrahur vendimin e Qeverisë për këtë Cështje, derisa edhe opozita kërkon nga Qeveria që të mos ndërmarrë veprime pa koordinim me aleatët ndërkombëtarë
Zëdhënësi i Komisionit të BE-së, Peter Stano, ndonëse e pranon se urat janë për bashkim të njerëzve, thotë se ajo e Ibrit është “çështje shpërthyese dhe problematike”. Prandaj, thotë ai, duhet të zgjidhet përmes dialogut.
“Urat zakonisht i bashkojnë njerëzit. Fatkeqësisht, situata që kemi në veri të Kosovës dhe në Mitrovicë është rezultat i një numri të madh rrethanash të vështira politike. Prandaj kemi thënë gjithmonë se është një çështje shpërthyese, një çështje problematike dhe si të gjitha çështjet problematike duhet të zgjidhet me dialog. Sepse nëse keni një problem, atëherë e zgjidhni me dialog, jo me vendime të njëanshme”, ka thënë Stano në një intervistë për median serbe.
Ai tha se javën e kaluar, të gjithë miqtë e Kosovës (Bashkimi Evropian, Quint-i), shkuan te kryeministri Albin Kurti dhe i thanë: “Mos e bëj këtë, mos bëj lëvizje të njëanshme, mos e hap urën”.
“Por ai duket i vendosur ta bëjë këtë. Prandaj thamë, ‘jo, do të ketë efekte shumë negative’. Kërkojmë nga autoritetet të parandalojnë dhe shmangin hapat që do të çojnë në konfrontime dhe përshkallëzim më të madh. Sepse i lëndon njerëzit në terren dhe ju dhemb edhe juve, sepse Kosova është nën masat e BE-së dhe nën disa masa të ShBA-së për shkak të ndërmarrjes së përsëritur dhe të provuar të lëvizjeve që çojnë në përshkallëzim”.
“Nuk i ndihmon askujt, përkundrazi, ndikon shumë negativisht te një numër i madh njerëzish”, tha Stano.
Më tej, ai tha se Bashkimi Evropian nuk është një forcë ndërhyrëse.
“Ne nuk duam t’u imponojmë partnerëve tanë gjëra që populli, popullata vendase, mund t’i konsiderojë si ndërhyrje në punët e brendshme. Pikërisht për këtë ne punojmë si ndërmjetës në dialog. Ndërmjetësi është si një mësues i mirë, i cili përpiqet të bëjë që dy nxënës kokëfortë të arrijnë ndonjë rezultat. Në këtë rast, ata të fillojnë të trajtojnë njëri-tjetrin normalisht. Ne këto nuk mund t’ua imponojnë atyre. Nëse ata nuk duan – na vjen keq. Ata nuk do të përparojnë, por do të ndëshkojnë veten dhe do të ndëshkojnë popujt e tyre dhe nuk do t’i afrohen BE-së. Sepse ata vetë thanë: ‘Ne duam të jemi pjesë e klubit tuaj evropian’. Pastaj Bashkimi Evropian tha: ‘Në rregull. Këto janë kushtet dhe ju lutemi plotësoni ato. Nëse nuk i plotëson, nuk do të jesh pjesë e klubit’”.
“Serbia dhe Kosova kanë thënë se duan të anëtarësohen. Atëherë duhet të ndiqni rregullat dhe rregullat thonë se kërkohen marrëdhënie të mira fqinjësore. Nëse nuk i keni, atëherë duhet të punoni për pajtim dhe normalizim. Ne do të ndihmojmë. Dhe ne vazhdojmë të ndihmojmë, sepse besojmë se mund të funksionojë. Më parë ka funksionuar me anëtarët e tjerë që janë tani në BE, por që më parë ata kanë luftuar në luftëra shumë më brutale se ajo mes serbëve dhe kosovarëve. Dhe ia dolëm. Por kjo kërkon guxim, pjekuri dhe kërkon lidership politik, i cili do të arrinte kompromisin e nevojshëm. Kjo është ajo që ne po përpiqemi t’i ndihmojmë të dyja palët të arrijnë. Por ne nuk do t’u imponojmë atyre. Sepse nëse ata nuk e duan, atëherë ne nuk mund të dëshirojmë pajtim mes Kosovës dhe Serbisë më shumë seç e duan Kosova dhe Serbia dhe liderët e tyre. Prandaj ne vetëm mund të ndihmojmë dhe këshillojmë, por nuk mund t’i detyrojmë apo detyrojmë ta bëjnë këtë”, tha zëdhënësi i BE-së.
Në lidhje me zhvillimet e fundit në veri, siç është mbyllja e pikave ilegale të Postës së Serbisë, Stano tha se “problemi që e shohim gjithnjë e më shumë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është se jemi vazhdimisht në gjendje krize, në modalitet të zgjidhjes së krizës”.
Dhe kjo, sipas tij, nuk është mirë. “Sepse ne kemi shpresuar në fillim të këtij mandati, kur kemi iniciuar vazhdimin e dialogut, se do të kemi progres, se do të jemi në gjendje t’i ndihmojmë Kosovës dhe Serbisë të arrijnë një progres në normalizim. Fatkeqësisht, ne shohim gjithnjë e më shumë lëvizje të njëanshme dhe veprime të pakoordinuara. Fatkeqësisht, shumica e tyre vijnë nga administrata në Prishtinë. Bastisjet, gjegjësisht mbyllja e tetë degëve të postës serbe në veri të Kosovës është shumë për të ardhur keq dhe është shkelje e marrëveshjes së dialogut: e njëanshme, e pakoordinuar, me ndikim negativ në popullatën vendase. Prandaj kërkojmë nga autoritetet që të rishqyrtojnë vendimin e tyre dhe t’i kthehen dialogut me ide konstruktive se si të zgjidhet problemi që kanë. Kurse ata flasin për arsyet e tyre që me problemin të merren me veprime të tilla. Ne duam të shohim angazhim dhe dialog në vend të veprimeve të njëanshme”, ka thënë Stano.