Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka mbrojtur aksionin e autoriteteve të Kosovës të ndërmarrë më 5 gusht, kur u mbyllën nëntë degë të Postës së Serbisë në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Gjatë një vizite në Mitrovicë të Veriut, Sveçla u pyet nga gazetarët për aksionin, i cili u kritikua nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Çfarë janë duke bërë institucionet e Kosovës është shumë normale. Ato nuk kanë pasur licencë”, tha Sveçla.
Një ditë më parë, nga Policia e Kosovës thanë se aksioni u zhvillua pas informatës së pranuar nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Autoritetet mbyllën nga tri objekte në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq, në Zveçan dy, dhe një në Zubin Potok./rel