Kreu i Partisë së Serbëve të Kosovës, Aleksandër Jabllanoviq duke komentuar reagimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, për mbylljen e filialeve të postës serbe në veri të Kosovës ka deklaruar se duhet marrë veprime të forta dhe konkrete ndaj lidershipit të Vetëvendosjes.
Në të kundërtën nëse nuk ka veprime të tilla, ai tha se dialogu do të ndërpritet dhe rezultatet e tij do të anulohen.
Madje Jabllanoviq në një prononcim për TelegramNews ka deklaruar se BE-ja është duke e pa qartë se serbët në Kosovë po i nënshtrohen siç tha ai, “represionit dhe terrorit të përditshëm nga institucionet qeveritare”.
“Deklarata e BE-së se këto dhe veprime të ngjashme janë të njëanshme, për mendimin tim, është e saktë dhe plotësisht e saktë. BE-ja e sheh qartë se serbët në Kosovë i nënshtrohen represionit dhe terrorit të përditshëm nga institucionet qeveritare. Mendimi im është se BE dhe SHBA duhet të heqin dorë nga politika e deklaratave dhe të ndërmarrin veprime të forta dhe konkrete kundër lidershipit të Lëvizjes Vetëvendosje. Besoj se vetëm sanksionet e drejtpërdrejta politike dhe ekonomike kundër politikanëve të Vetëvendosjes dhe financuesve të tyre mund të çojnë në kthimin e atyre njerëzve në rrugën e dialogut dhe negociatave. Përndryshe, duhet të jemi të vetëdijshëm se dialogu do të ndërpritet dhe rezultatet e tij do të anulohen. Nëse BE-ja dëshiron ta parandalojë këtë dhe të mos lejojë konflikte të reja, atëherë duhet të dënohen me sanksione përgjegjësit në qeverinë e Kosovës, e jo qytetarët dhe ekonomia e Kosovës”, tha Jabllanoviq për TelegramNews.
Ndryshe, për mbylljen degëve të Postës së Serbisë në veri të Kosovës kanë reaguar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës vënë në rrezik qytetarët dhe ushtarët e KFOR-it.
Në reagimin që e ka përcjellë Ambasada e SHBA-së në Prishtinë, thuhet se “Qeveria e SHBA-së është thellësisht e zhgënjyer nga veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës kundër filialeve të postës serbe në veri të Kosovës. Veprimet e pakoordinuara të Kosovës vënë qytetarët kosovarë dhe ushtarët e KFOR-it në rrezik më të madh, përshkallëzojnë në mënyrë të panevojshme tensionet rajonale dhe minojnë reputacionin e Kosovës si partnere e besueshme ndërkombëtar”, thuhet në reagim.
Sikurse SHBA edhe BE i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë këtë vendim dhe të gjejë një zgjidhje të negociuar në kuadër të dialogut.
Policia e Kosovës ka thënë të hënën se ka mbyllur tri degë të Postës së Serbisë në Mitrovicë të Veriut, tri në Leposaviq, dy në Zveçan dhe një në Zubin Potok.
Zyrtarë të saj kanë thënë se kanë nisur aksionin policor pasi kanë marrë informacione nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) se në territorin e Kosovës po operojnë operatorë ekonomikë pa licencë dhe që nuk janë të regjistruar në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK).
Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) është organ rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikëqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ligji për komunikimet elektronike, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit.
Mbyllja e objekteve është dënuar prej zyrtarëve të Postës së Serbisë, Listës Serbe, dhe institucioneve shtetërore të Serbisë.