Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka përjetuar një incident të papritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, ku sigurimi i këtij aeroporti tentoi të merrte telefonin personal të saj.
Këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina, e ka cilësuar këtë veprim si një shkelje të praktikave ndërkombëtare.
Kupina tregoi për Telegrafin se veprimet e zyrtarit të sigurimit dukeshin se kishin për qëllim të provokonin delegacionin e Kosovës dhe të shkaktonin ndonjë incident.
Ai shtoi se presidentja nuk e lejoi një gjë të tillë, pasi do të kishte qenë një shkelje e rëndë e protokollit.
“Ekipi i presidentes i shpjegoi rregullat zyrtarit të aeroportit, por ai tentoi fizikisht ta shtyjë presidenten, çka detyroi Policinë e Kosovës të ndërhyjë për ta hapur rrugën. Kjo sjellje është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave krerët e shtetit mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike,” tha Kupina.
Sipas tij, përkundër rregullave, pala maqedonase mori çantën personale të presidentes, ndonëse ekipi i saj lejoj për të kaluar në sallën VIP, e cila ishte rezervuar nga Ambasada e Kosovës.
“Nuk është lejuar në asnjë mënyrë dorëzimi i telefonit personal. Sjellja e zyrtarit të aeroportit është e paprecedentë dhe nuk ka ndodhur kurrë në udhëtimet e presidentes,” tha ai.
Kupina gjithashtu tregoi se kishte një tendencë për ta provokuar delegacionin e Kosovës dhe se presidentja e kishte njoftuar kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, mbi këtë skandal diplomatik.
Ai falënderoi Gashin për ndihmën e ofruar.
Pas incidentit, Aeroporti i Shkupit nuk lejuan aeroplanin komercial të niset për më shumë se një orë, me pretekstin se shteti slloven nuk po e lejonte nisjen.
“Kabineti i presidentes e kontaktuar palën sllovene, e cila e mohoi këtë informacion,” tha Kupina, duke shtuar se presidenca e konsideron çdo trajtim të tillë si një sulm ndaj vetë shtetit të Kosovës.
“Republika e Kosovës asnjëherë nuk ka trajtuar në këtë mënyrë presidentët e vendeve të tjera dhe nuk do ta lejojë një situatë të tillë,” përfundoi Kupina.