Mijëra venezuelas u mblodhën të martën, më 30 korrik, në protesta paqësore për të mbështetur opozitën, një ditë pasi 11 persona vdiqën dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në protestat kundër fitores së kontestuar në zgjedhje të presidentit Nicolas Maduro.
“Liri, liri” dhe “Nuk kemi frikë”, ishin disa nga sloganet që protestuesit brohoritën në kryeqytetin venezuelas, Karakas, teksa liderët opozitarë po insistojnë se kanë fituar bindshëm zgjedhjet.
Përderisa po rriten thirrjet ndërkombëtare që Këshilli Kombëtar Zgjedhor të publikojë rezultatet e detajuara të zgjedhjeve të së dielës, që këshilli tha se i fitoi Maduro, presidenti u është përgjigjur thirrjeve ndërkombëtare me kërcënime.
Sipas tij, opozita duhet të mbahet përgjegjëse për “dhunën kriminale, të plagosurit, të vdekurit dhe shkatërrimin” që lidhen me protestat.
Megjithatë, organizata joqeveritare për të drejtat e njeriut, Foro Penal, tha se të paktën 11 persona – përfshirë dy minorë – janë vrarë në atë që kreu i kësaj organizate, Alfredo Romero, e cilësoi si “krizë e të drejtave të njeriut”.
Ai tha se dhjetëra të tjerë janë plagosur dhe janë arrestuar të paktën 177 persona.
Të hënën, forcat e sigurisë përdorën plumba gome dhe gaz lotsjellës ndaj protestuesve të cilët po pretendojnë se opozita ka fituar.
Opozita kundërshton vlerësimin e autoriteteve se Maduro ka fituar zgjedhjet me 51 për qind të votave, përderisa 44 për qind të votave i ka fituar Edmundo Gonzalez Urrutia.
Maduro, 61 vjeç, ka udhëhequr shtetin e pasur me naftë që nga viti 2013. Gjatë udhëheqjes së tij, shteti është përballur me krizë ekonomike që ka shtyrë më shumë se 7 milionë nga 30 milionë banorët e Venezuelës të largohen nga shteti.
Ai akuzohet se hesht kritikat dhe sulmon opozitën.
Qendra Carter me seli në Shtetet e Bashkuar, që monitoron zgjedhjet presidenciale, tha më 30 korrik se zgjedhjet në Venezuelë nuk plotësuan standardet demokratike, duke bërë thirrje për publikimin e rezultateve zgjedhore sipas qendrave të votimit.
“Zgjedhjet presidenciale në Venezuelë nuk plotësuan standardet ndërkombëtare të integritetit zgjedhor dhe nuk mund të konsiderohen demokratike”, tha kjo organizatë përmes një deklarate.
Sondazhet e pavarura kishin parashikuar që Gonzalez Urrutia, 74 vjeç, do të fitonte zgjedhjet me një diferencë të madhe.
Kur Maduro u shpall fitues, mijëra persona protestuan në disa qytete të Venezuelës.
Të paktën dy statuja të Hugo Chavez – socialistit të ndjerë autoritar që udhëhoqi me Venezuelën për më shumë se një dekadë dhe vetë zgjodhi Maduron si pasues të tij – janë rrëzuar.
Më 30 korrik, prokurori i Përgjithshëm, Tarek William Saab, tha se 749 “kriminelë” janë arrestuar gjatë protestave dhe përballen me akuza për mosbindje të urdhrave apo “në raste më serioze edhe me akuza për terrorizëm”.
Ndërkaq, ushtria ka raportuar se 23 ushtarë janë plagosur dhe një është vrarë gjatë trazirave./rel