Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut para dy vjetësh hapën zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Gjatë konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pati thënë se Evropa mundëson që Ballkani Perëndimor të jetë një vend me paqe dhe prosperitet.
Ndërsa kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, pati deklaruar se pas 17 vjetësh të marrjes së statusit kandidat, po hapet një perspektivë e re për qytetarët e vendit të tij dhe shteti po i bashkohet BE-së.
Hapja e bisedimeve për Shkupin dhe Tiranën erdhi pasi më 16 korrik 2022, Kuvendi i Maqedonisë Veriore miratoi një propozim francez që mundësoi heqjen e vetos së Bullgarisë për nisjen e bisedimeve me Shkupin.
Maqedonia e Veriut mori statusin e shtetit kandidat më 2005. Më 2009, Komisioni Evropian rekomandoi hapjen e negociatave për anëtarësim, me kusht që vendi të zgjidhte mosmarrëveshjet rreth emrit me Greqinë fqinje.
Pas zgjidhjes së çështjes së emrit më 2018, nisja e procesit u vendos fillimisht nga Franca që kërkoi ndryshimin e metodologjisë në negociatat e anëtarësimit. Në fund, Bullgaria bllokoi negociatat duke e kushtëzuar hapjen e procesit me zgjidhjen e mosmarrëveshjes për gjuhën dhe historinë.
Shqipëria mori statusin e kandidatit më 2014 dhe nga viti 2018 ka pasur rekomandim për nisjen e negociatave, por ajo u fut në paketën e njëjtë me Shkupin dhe iu desh të priste që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria të arrinin pajtim për dallimet./kp