Djegia e mbeturinave gjatë natës po iu shkakton probleme banorëve të Kodrës së Trimave në kryeqytet, madje ata janë të detyruar edhe të largojnë fëmijët e tyre nga kopshti.
Persona të panjohur sipas banorëve çdo natë djegin mbeturina që i hedhin gjatë ditës.
Një banore e lagjes, në kushte anonime ka thënë se që një javë radhazi persona të panjohur çdo natë në ora 21:00 ndezin mbeturinat që i hedhin gjatë ditës.
Për shkak të këtij ajri të ndotur dhe erës së keqe, tri familje në këtë lagje janë detyruar që të largojnë fëmijët e tyre nga kopshti, ka bërë të ditur ajo.
Ajo ka konfirmuar se është lajmëruar edhe Policia e Kosovës, të cilët kanë vizituar vendin e ngjarjes, por të njëjtit nuk kanë ndërmarrë masa.
Banorja kërkon nga institucionet që të ndërmarrin masa rreth këtij problemi shqetësues.
“Kemi një problem pothuajse që një javë nga ndotja e ajrit, për shkak të ndezjes së mbeturinave në lagjen Kodra e Trimave, saktësisht lokacioni te zjarrfikësit. I kemi lajmëruar edhe policinë. Kanë ardhur tri herë dhe asnjë masë nuk është marrë. Çdo natë në ora 21:00 ndezin mbeturina që i hedhin gjatë ditës. Po bëhet shumë tym, sikur mjegull. Është e pamundur të hapen dyert apo dritaret për ajrose. Jemi detyruar tri familje t’i ndalim fëmijët nga kopshti për shkak të mbeturinave në rrugën kryesore dhe erës shumë të keqe”, ka thënë banorja./kp