Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë Niko Peleshi ka njoftuar se gjatë 24 orëshit janë raportuar 14 vatra të zjarrit.
Sipas tij nga 14 vatrat e zjarrit, 3 prej tyre janë ende aktive.
“Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile në #AKMC, gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 14 vatra zjarri, nga të cilat janë shuar 11 dhe janë aktive 3 vatra zjarri. Sot puna po vijon në bashkinë Delvinë, ku është aktive vatra e zjarrit sipër Manastirit dhe fshatit Kakodhiq. Në bashkinë Gjirokastër, efektivët e Forcave të Armatosura dhe ato të emergjencave vendore kanë nisur punën prej orëve të para të mëngjesit për shuarjen e vatrave të zjarrit mbi Malin e Gjerë, ku flakët kanë një shtrirje 10-12 km dhe janë të shpërndara në 3 vatra”, ka shkruar Niko Peleshi.
Ai ka bërë me dije se po punohet për shuarjen e zjarrit të rënë dje, pranë liqeneve të Lurës, në fshatin Gurë – Lurë të bashkisë Dibër, ku ndërhyrja sipas tij paraqet vështirësi për shkak edhe të terrenit shumë shkëmbor.
“Falënderim për të gjithë efektivët zjarrfikës, efektivët e Forcave të Armatosura, forcat bashkiake, forcat policore, punonjës të Administratës së Zonave të Mbrojtura, shërbimit pyjor e forcave vullnetare që po luftojnë prej disa ditësh me flakët”, ka shkruar Niko Peleshi.