Përpara bashkisë së Tiranës u zhvillua sot protesta e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe grupit të Rithemelimit të Partisë Demokratike si dhe Partisë së Lirisë, ndërsa grupimet opozitare kërkojnë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj pas arrestimit të 5 drejtorëve të bashkisë.
Protestuesit vendosën goma para bashkisë të cilave u vunë flakën, ndërkohë që Policia bëri thirrje për vetëpërmbajtje.
Protestuesit përdorën edhe kapsolla, vezë, ndërsa gomat që dogjën në pjesën e parme të bashkisë krijuan tym. Pas kësaj policia u është përgjigjur duke i hedhur ujë.
Gjatë kësaj kohe kanë pasur edhe përplasje me policët, të cilët ishin vendosur përpara bashkisë.
Në fjalën e mbajtur gjatë protestës, shefi i organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu, u shpreh se, “Bashkia e Tiranës është kthyer në një vend ku vijnë rilindasit dhe marrin para”.
Ai tha se, “e vetmja mënyrë që të vendoset drejtësia, është arrestimi i kryebashkiakut Erion Veliaj”.
“Shpreh mirënjohjen ndaj qëndrestarëve që përballen me një pushtet të korruptuar e të lidhur me organizatat më të rrezikshme kriminale. Pa arrestuar Erjon Veliaj nuk ka drejtësi. Është ai që ka sjellë për herë të parë në botë një pishë 3 mijë euro e një palmë 6 mijë euro. Është kthyer Bashkia e Tiranës në një vend ku vjen një rilindas, ikën një tjetër, marrin disa para e ikin në shtëpi. As SPAK e askush nuk i bën dot për budallenj qytetarët e t’iu thotë që nuk dintë gjë Veliaj e Rama”, tha ai.
Ndërsa, Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi nga protesta para bashkisë së Tiranës tha se, “vetëm kur SPAK të arrestojë Edi Ramën dhe Erion Veliajn mund të thuhet se ky institucion ka nisur të punojë”.
“SPAK është sot aleat në bashkëqeverisje me Edi Ramën dhe Erion Veliajn, është partneri i tyre në krim”, u shpreh Blushi./atsh