Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, thotë se Projektligji për byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme do të miratohet brenda këtij viti, me ndryshimet e parapara në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Ai tha se rrëzimi i Projektligjit për byronë nga Kushtetuesja është goditje për reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit.
Rrustemi në një intervistë për KosovaPress akuzoi opozitën dhe në veçanti PDK-në se kur e kanë dërguar këtë projektligj në Gjykatë Kushtetuese motivin fillestar e kanë pasur mbrojtjen e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve publikë që kanë shërbyer gjatë kohës sa kanë qenë ata në pushtet.
“Është goditje e madhe për reformën në drejtësi dhe për luftën kundër korrupsionit te zyrtarët publikë në Kosovë. Natyrisht se ka dëmtuar angazhimin tonë për të luftuar korrupsionin në nivel të zyrtarëve të lartë publikë dhe konfiskuar pasurinë e pajustifikueshme në Kosovë. Ne besojmë dhe jemi të bindur se është fenomen i jashtëzakonshëm që e ka gërryer pasurinë për vite të tëra… 03:08 Pa dyshim, se do të procedohet i njëjti projektligj me adresimin e këtyre katër neneve, por që dëmi është në kohë. Imagjinoni 16 muaj është gjysma e mandatit të një legjislature. Për të mbajtur pengë të bllokuar dhe në fund rezulton vetëm me katër nene. Ky është dëm i madh. Vonesa e pajustifikueshme krijon aludime të llojllojshme, por unë nuk dua të lëshohem në aludime, por vetëm po konstatoj dëmin që e ka shkaktuar…Jam shumë i bindur që do të procedohet shpejt dhe brenda këtij viti. Ne jemi në një periudhë si Kuvend afër pushimit mes dy sesioneve, por gjithsesi jam i bindur se brenda këtij viti do të vijë në Kuvend dhe miratohet”, tha ai.
Rrustemi akuzoi Gjykatën Kushtetuese se ka vonuar qëllimshëm për 16 muaj vendimmarrjen për Projektligjin për byronë.
“Megjithatë, në rrafshin politik, jashtë aspektit formal që opozita në Kosovë, në rastin PDK që ka dërguar këtë projektligj, nuk e ka dhe nuk e ka pasur asnjëherë motivin mbrojtjen e Kushtetutshmërisë. Motivi tyre fillestar e përfundimtar është padyshim mbrojtja e pasurisë së pajustifikueshme të zyrtarëve të lartë publikë. Duke qenë se kanë qeverisur gjatë në Kosovë, dhe duke qenë se pikërisht në periudhën kur ata kanë qeverisur, e sidomos në atë periudhë, korrupsioni, keqpërdorimi i detyrës zyrtare, e pasurimi i zyrtareve të lartë publik politikanëve ka qenë i jashtëzakonshëm. Thjesht, ata po angazhohen duke përdorur çdo instrument, madje edhe Gjykatën Kushtetuese në rastin konkret për të mbrojtur pasurinë e pajustifikueshme. Por, vonim mund të ketë, por, shpëtim nga konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme nuk mund të ketë”, tha Rrustemi.
Megjithatë, Rrustemi thotë se reforma në drejtësi nuk ka dështuar dhe se nuk duhet lokalizuar vetëm te procesi i vettingut, Këshillit Prokurorial dhe byrosë.
“Jo, në asnjë mënyrë. Reforma në drejtësi duhet të lokalizoj te vettingu, byroja dhe KPK-ja. Është e vërtetë se këto janë më të rëndësishmet, edhe për shkak të një mesazhi që përçojnë, por angazhimi në kuadër të reformës së drejtësisë është në disa drejtime. Është në pakon e ligjeve antikorrupsion, ato kanë kaluar, siç është zgjerimi i mandatit të agjencisë për parandalimin e korrupsionit, ndryshimi i ligjeve për deklarimin e pasurisë, natyrisht edhe verifikimin e saj. Në anën tjetër janë pako e projektligjeve të ndryshme në fushën e drejtësisë që kanë kaluar gjatë kësaj legjislature. Vetëm në sektorin e drejtësisë, ky kuvend në këtë legjislaturë ka kaluar ligje sa legjislaturat e mëparshme komplet që kanë kaluar ligje. D.m.th ne kemi rreth 40 ligje vetëm në fushën e drejtësisë gjatë këtyre tri vjetëve që janë trajtuar e miratuar, disa janë në procedurë, disa do të vinë shumë shpejt në Kuvend, ndërkohë që kemi legjislatura në Kosovë që në gjitha fushat nuk kanë kaluar 45 ligje brenda një legjislature. Natyrisht, nuk kanë qenë legjislatura katërvjeçare, por angazhimi është në disa drejtime”, thotë ai.
Krahas kësaj, Rrustemi tha se mazhoranca nuk do të tërhiqet në miratimin e Projektligjit për Komisionit të Pavarur për Medie, Këshillit Prokurorial dhe atij për zyrtarët publikë, pavarësisht kritikave të ndërkombëtarëve dhe shoqërisë civile.
“Në asnjë mënyrë, në nuk kemi fare qëllim për të kapur këto institucione, për t’i ç’kapur ato dhe për të liruar energjitë profesionale, intelektuale në Kosovë, dhe për t’i kthyer ato institucione në shërbim të interesit publik të qytetarëve dhe të shtetit. Ne nuk kemi as nevojë për t’i kapur institucionet, jo vetëm që nuk e kemi as synim, por as nevojë. Ata që pretendojnë, që kanë kapur institucionet dhe shtetin e kanë bërë për t’i mbrojtur interesat individuale dhe grupore të tyre”, tha Rrustemi./kp