Libri ‘Gjermania dhe Kosova: Historia e një partneriteti’, është një përmbledhje e disa autorëve gjermanë dhe kosovarë të përzgjedhur nga redaktorët dhe botuesit e librit Enrico Seewald dhe Urs Unkauf, që në fokus ka partneritetin mes Gjermanisë dhe Kosovës.
Në libër janë përmbledhur tekste autoriale të disa personaliteteve nga politika, diplomacia, fusha ushtarake, akademike dhe publicistike.
Libri është promovuar në nëntor të vitit të kaluar në rezidencën e ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, kurse mbrëmë në Bibliotekën Kombëtare për këtë botim folën Arben Hajrullahu dhe Urs Unkauf, ndërsa pjesë të përzgjedhura nga autorët si Karl-Albrecht Wokalek, Erhard Bühler, Blerim Shala, Beqë Cufaj etj, lexoi Ramize Ferati.
Gjatë diskutimit u tha se libri është një sprovë për prezantimin dypalësh të marrëdhënieve mes dy vendeve. Së bashku me disa dokumente kyçe të ribotuara në këtë libër, kontributet ofrojnë një pamje të larmishme dhe të gjallë të këtij problemi të vështirë dhe kompleks në historinë e re evropiane.
“Gjermania dhe Kosova kanë lidhje të gjata dhe të ngushta. Republika Federale e Gjermanisë ishte shteti i dhjetë që e njohu ndërkombëtarisht Republikën e Kosovës në vitin 2008”, theksoi ambasadori gjerman Jorn Rode.
Gjermania ka luajtur rol kyç në zgjidhjen e konfliktit të Kosovës u tha nga panelistët në diskutimin kushtuar librit.