Dogana e Kosovës ka njoftuar se kanë arritur një sukses historik për periudhën 1 janar – 1 gusht të këtij viti ku ka mbledhur 1 miliard euro të hyra.
Përmes një komunikate në Facebook Dogana ka shkruar se kjo arritje përfaqëson një pikë të rëndësishme për institucionin dhe për ekonominë e vendit.
“Vlen të theksohet se që nga themelimi i doganës e deri tani kjo është hera e parë që me datën 1 gusht arrihet kjo shumë. Ky rekord i ri është rezultat i një kombinimi faktorësh, duke përfshirë: Përmirësimin e procedurave Doganore, Implementimi i sistemeve të reja dhe teknologjive për të thjeshtuar dhe shpejtuar proceset doganore ka luajtur një rol kyç në arritjen e këtij suksesi”, thuhet në komunikatë.
Në komunikatë thuhet se ky rekord i ri është rezultat i një kombinimi faktorësh, duke përfshirë përmirësimin e procedurave doganore, luftën kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal, dhe transparencës e edukimi publik.
Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, shprehu mirënjohjen për stafin e doganës dhe për partnerët strategjikë që kanë ndihmuar në arritjen e këtij suksesi.
“Ky është një moment i rëndësishëm për Doganën e Kosovës dhe për të gjithë qytetarët e vendit tonë. Mbledhja e 1 miliard eurove të hyra është dëshmi e punës së palodhshme, përkushtimit dhe profesionalizmit të Doganës së Kosovës”, tha Llugaliu.