Procesi i votimit në dy komunat e Luginës së Preshevës, Preshevë dhe Bujanoc ka përfunduar pa ndonje incident serioz .
Sipas zyrtarëve të Komisioneve Komunale Zgjedhore në Preshevë dhe Bujanoc gjithçka ka shkuar relativisht mirë, me incidente të lokalizuara.
Votimi llogaritet të jetë mbi 30 për qind, ndërsa rezultatet preliminare pritet të dalin pas orës 22:00. Të dhënat për RTK janë konfirmuar nga kryetarët e Kuvendeve Komunale Zgjedhore në këto komuna.
Kujtojmë se nga ora 07:00 në Preshevë dhe Bujanoc, janë hapur vendvotimet për zgjedhjet e nivelit lokal. Presheva ka rreth 43500 votues të cilët kanë votuar në 37 qendra të vendvotimit për 39 mandate. Në Bujanoc kanë pasur të drejtë vote gjithsej 43046 votues të cilët kanë votuar në 59 vendvotime për 41 mandate.
Në të dy komunat vlen rregulli i njëjtë, i arritjes së shumicës prej 21 mandateve të këshilltarëve për të arritur zgjedhjen e kryetarit të komunës, i cili pra nuk zgjidhet me votën e drejtpërdrejt, por me shumicë këshilltarësh.
Në Preshevë në garë kanë qenë 6 subjekte shqiptare dhe 1 të pakicës serbe. Në Bujanoc ndërkaq kanë garuar 4 subjekte të shqiptarëve, 4 të serbëve dhe 1 subjekt që udhëhiqet nga minoriteti rom.