Multimiliarderi Elon Musk ka njoftuar se do t’i japë rreth 45 milionë dollarë në muaj një komiteti të ri politik në mbështetje të Donald Trump, tha të hënën Wall Street Journal (WSJ), duke përmendur burime pa emër.
Musk planifikon të dhurojë këto para nga ky muaj komitetit i cili mbështet ish-Presidentin Donald Trump në përpjekjen e tij për t’u rikthyer në Shtëpinë e Bardhë, shkruan media amerikane.
Musk: Është lajm i rremë
Multimiliarderi me origjinë nga Afrika e Jugut nuk është renditur në listën e donatorëve të botuar dje, gjë që tregon se komiteti ka mbledhur më shumë se tetë milion dollarë deri më tani.
Midis donatorëve janë Lonsdale Enterprises dhe binjaket Winklevoss.
Lonsdale dhuroi një milion dollarë, dhe Cameron dhe Tyler Winklevoss dhuruan 250,000 dollarë secila.
Musk, njeriu më i pasur në botë, udhëheqësi i Tesla dhe SpaceX, nuk iu përgjigj kërkesës së Reuters për koment. Në platformën X, të cilën ai gjithashtu e zotëron, ai iu përgjigj tekstit të WSJ me fjalinë “lajme të rreme”.