Edon Zhegrova e ka nisur sezonin e ri në mënyrë fantastike.
Ylli kosovar ka qenë hero i Lillet mbrëmë në fitoren ndaj Fenerbahçes me rezultat 2:1 në ndeshjen e vlefshme për rrethin e tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Zhegrova e shënoi golin e fitores në minutat shtesë në stadiumin “Stade du Hainunt”, teksa u inkuadrua në lojë si zëvendësues në minutën e 71-të.
Santos i kaloi vendasit në epërsi në minutën e 12-të, para se Kahveci t’i barazonte shifrat në minutën e 80-të.
Por, Zhegrova e mposhti ekipin e Jose Mourinhos pasi shënoi në kohën shtesë edhe falë devijimit të një futbollistit kundërshtar.
Pas lojës, përfaqësuesi kosovar e bëri një postim në rrjetet sociale, përmes së cilit e shprehu gëzimin dhe kënaqësinë për fillimin e mbarë të sezonit.
“Është diçka e madhe ta filloj sezonin me fitore dhe me gol. Punë e mirë e ekipit, shihemi javën tjetër. Deri në fund, Lille”, shkroi 25 vjeçari.
Gjatë kësaj vere flitet se Zhegrova mund të largohet nga Franca për një klub më të madh evropian, por deri tash nuk ka diçka konkrete.