Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar masakrën e Abrisë të Drenasit për 26 vjetorin e saj.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti tha se kjo masakër është një nga krimet më mizore të gjenocidit të Serbisë në Kosovë.
“Masakra e Abrisë është një nga krimet më mizore të gjenocidit të Serbisë në Kosovë. Për të askush nuk është dënuar. Atë ditë i masakruan 22 anëtarë të familjes Deliu. Më i moshuari ishte Fazli Deliu 94 vjeç. Më i riu, u privua nga jeta që në barkun e nënës. Luljetës shtatzënë ia prenë barkun me foshnjën e palindur”, ka shkruar ai.
Tutje, Kurti tha se nuk duhet harruar dëshmorët që kanë rënë për të çliruar vendin.
“Në përvjetorin e 26-të, përkujtojmë 23 martirët e masakrës në Abri të Epërme dhe 13 martirët e vrarë në Gollubovc. Përkujtojmë Valdet Xhemajlin, Vesel Demakun e Afrim Hajdarajn, që ranë dëshmor atë ditë, duke mbrojtur popullatën civile. Nuk i harrojmë të rënët në rrugën e vështirë deri te çlirimi. Nderojmë kujtimin për ta duke u angazhuar për forcimin e Republikës sonë. Lavdi të gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës! I përmotshëm qoftë përkujtimi i të gjallëve për ta!”, shtoi kryeministri. /TelegramNews/