Ismail Kadare ka vdekur sot në orët e hershme të mëngjesit. Për autorin e shumë veprave shqiptare shkruajtën figurat e Kosovës dhe Shqipërisë.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj ka thënë se Shqipëria ka humbur gjeniun e tyre të letrave.
“Shqipëria dhe shqiptarët humbën sot gjeniun e tyre të letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota ndër përfaqësuesit më të spikatur të letërsisë moderne. Të qoftë e lehtë lëndina në panteonin e përjetësisë, Kolosi ynë i mendimit dhe i penës!”, shkruan Begaj në Facebook.
Ndërkaq kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, përmes një postimi në rrjete sociale u shpreh se Kadare me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërisë, kulturës dhe qytetërimit botëror.
“Me veprën që krijoi, Ismail Kadare, shkrimtari shqiptar më i madh i të gjitha kohrave, u ngjit në Olimpin e letrave shqipe. Me rrezatimin e përbotshëm të veprës së tij, Kadare e ngjiti letërsinë dhe kulturën shqiptare në majat e letërisë, kulturës dhe qytetërimit botëror”, shkroi ajo.
Në një shkrim të shkurtër në Facebook, Vlora Çitaku ka bashkëngjitur dhe një poezi të Kadaresë, ‘Gjeneral Moisi”.
Ndër të tjera ajo shkruan “lamtumirë dhe faleminderit, Ismail Kadare!”.
Poezia:
Moisi ndërgjegjes
vallë si i re?
Ajo ngrihet, bie
mbytur gjak përdhe.
Nata është e shkretë
troku natën mbush
veç ndërgjegjes sate
prapa s’të ndjek kush.
Në kalldrëme shekujsh
troku yt i zi
Moisi i Golemëve
Gjeneral Moj-Zi.