Sot Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e dytë të Këshillit të Përgjithshëm.
Lumir Abdixhiku, i cili ¡shtë kryetar i kësaj partie, gjatë fjalimit të tij tha se Kosova po qëndron në një udhëkryq kritik, ku të gjitha shtyllat identitare të Kosovës janë vënë në peshorën e fateve të popullistëve.
“Aq vështirë është të dështosh me 51%, sa edhe dështimi në vete është një mjeshtri. Ky pushtet nuk e përdori për të avancuar shtetin në rrugëtimin e domosdoshëm konsolidues dhe në një moment shumë të favorshëm ndërkombëtar, por e përdori për të ushtruar arrogancë, për të ushqyer propagandë, e për të ndjellë polarizim ndërshoqëror, që vendin tonë të vogël e ndau thellë, e mbylli rëndë dhe e kurthoj keq”, tha Abdixhiku.
Sipas Abdixhikut “Ekonomia e Kosovës është thelluar në zymtësi investuese e në ngecje të paprecedentë të potencialit zhvillues”.
“S’mund të fshihet fakti që për tre vite e gjysmë, për shkak të inflacionit më të lartë në gjithë historinë tonë shtetare, çdo kosovar është varfëruar për një të tretën e të hyrave të tij. Plot 28% është inflacioni zyrtar në këto tre vite sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës. Për produkte bazike, për qumësht, vaj, bukë, krip, vezë e perime, sipas po të njëjtës Agjenci, rritja e çmimeve në tre vitet e gjysmë të tyre kapërcen plot 45%”, deklaroi ai.
Kjo qeveri si asnjë qeveri më parë, sipas Abdixhikut ka pasur plot 12 miliardë euro buxhet nën menaxhim dhe nuk ka arritur të lë asnjë shenjë, në asnjë fushë.