Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në mungesë të gjyqtares Naime Krasniqi-Jashanica, ka dështuar të mbahet seanca ku mjekët Alban Gjonbalaj dhe Arben Kutllovci ngarkohen se duke përdorur mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit, ka ardhur deri te vdekja e pacientes, tani të ndjerës T.H
Mungesa e gjyqtares Krasniqi-Jashanica lidhet me shkaqe shëndetësore të kësaj të fundit, çka ka rezultuar në shterjen e seancës, raporton “Betimi për Drejtësi”
Sipas aktakuzës së përpiluar më 31 janar 2023, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Alban Gjonbalaj dhe Arben Kutllovci, gjatë punës së tyre si mjekë, me rastin e dhënies së shërbimeve të kujdesit shëndetësor, nuk i kanë zbatuar rregullat e profesionit të kujdesit shëndetësor duke vepruar haptazi në mënyrë të pakujdesshme, duke përdorur mjete apo metoda të papërshtatshme të mjekimit, ku si rezultat i këtyre veprimeve, ka ardhur deri te vdekja e pacientes, tani të ndjerës T.H.
Në aktakuzë thuhet se më 4 tetor 2020, gjatë trajtimit mjekësor, kryerjes së rezonancës magnetike për pacienten, tani të ndjerën T.H., i pandehuri Arben Kutllovci është dakorduar me të dëmtuarën – dëshmitaren Lutfije Haxhiu që më 4 tetor 2020 të kryhet rezonanca magnetike për vajzën e saj. Mirëpo, paraprakisht me rastin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore ka pranuar dhe udhëzuar ekzaminimin e “MRI ALL Body”, në kundërshtim më praktikat dhe legjislacionin në fuqi, duke kryer një intervenim të tillë pa qenë i pajisur me udhëzimin për ekzaminim si dhe nuk ka bërë evidentimin e personelit mjekësor dhe dokumentacionit shëndetësor dhe dokumentacionit shëndetësor.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Alban Gjonbalaj më 4 tetor 2020, rreth orës 9:15 në ambientin e Klinikës “CT SCANER” (Institucion Privat Shëndetësor), me rastin e ofrimeve shëndetësore, ka vlerësuar në mënyrë joprofesionale gjendjen e pacientes tani të ndjerës T.H, duke mos bërë matjen e peshës trupore.
Aty thuhet se ekzaminimi i të ndjerës është bërë pa udhëzime mjekësore si dhe incizimi i rezonancës magnetike të tërë trupit të pacientes është bërë pa prezencën e mjekut specialist të Radiologjisë, por në vend të mjekut ka qenë prezent Muhamet Berisha – Teknik i Radiologjisë pa licencë valide të punës.
Sipas aktakuzës, si pasojë e mostrajtimit të duhur nga specialistët përkatës, ku i pandehuri Gjonbalaj ia ka dhënë dozën e parë të anestezionit pacientes, ku pas 10 -15 minutash të njëjtës i është dhënë edhe doza e dytë, kështu duke iu përkeqësuar gjendja gjatë procedurës së “MRI”. Dhe pas përkeqësimit përkundër të ndihmës së parë dhe dërgimit në urgjencën e QKUK-së, pacientja kishte ndërruar jetë.
Për këto veprime të kryer nga secili veç e veç, të lartcekurit ngarkohen për veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” nga neni 254 par. 8 lidhur me par.4 lidhur me par.1 të KPRK-së.