Të martën një dokument i shkollës “Elena Gjika” në Prishtinë ka shkaktuar reagime të shumta, lidhur me këtë, ka reaguar Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës, për ta sqaruar rastin.
Në reagimin e komunës thuhet se marrëveshja është hartuar gjatë vitit 2023 dhe është në përputhje me praktikat evropiane dhe ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin ndërmjet shkollës dhe prindërve.
Më tej, reagimet e ndryshme që janë bërë, Komuna e Prishtinës i ka quajtur “keqkuptime” me procese të tjera.
Reagimi i plotë:
Drejtoria e Arsimit njofton se pas shpërndarjes së paketës me dokumente të unifikuara për shkolla, ka pasur reagime në lidhje me dokumentin “Marrëveshja e shkollës me prindërit”.
Ky dokument është hartuar gjatë vitit 2023 nga grupet punuese të shkollave dhe është në përputhje me praktikat evropiane. Ai kërkon nënshkrimin e të dy prindërve dhe ka për qëllim të forcojë bashkëpunimin ndërmjet shkollës dhe prindërve për të siguruar angazhimin e plotë në edukimin e fëmijëve.
Ka pasur keqkuptime, ku disa prindër e kanë ndërlidhur këtë marrëveshje me procese të tjera, të cilat nuk janë objekt i këtij dokumenti. Për DKA, është thelbësore që të dy prindërit të jenë të angazhuar dhe të kontribuojnë në mënyrë të barabartë në procesin arsimor.