Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se fermerët dhe vreshtarët e Rahovecit deri më tani kanë përfituar mbi 21 milionë euro përmes programit të subvencioneve dhe granteve të qeverisë.
Peci dha deklaratë gjatë hapjes së festivalit tradicional të vjeljes së rrushit në Rahovec “Hardh Fest”, duke shtuar se për këtë aktivitet Ministria e Kulturës në tri vitet e ardhshme, ka dedikuar 182 mijë euro.
Peci ka thënë se vera e Rahovecit e cila prodhohet me standardet më të larat cilësore, gjindet me lehtësi në vendet e rajonit, e më gjërë, në BE e ShBA.
“Energjia e parë vjen nga dielli, energjia dytë vjen nga fisnikërimi i tokës, kurse të dyja bashkë krijojnë energjinë e venës së Rahovecit si më e mira në rajon. Përmes qeverisjes sonë, fermerët e vreshtarët e Komunës së Rahovecit deri më tani kanë përfituar mbi 21 milionë euro përmes programit të subvencioneve dhe grandeve. Ndërsa deri në fund të vitit, kjo vlerë monetare do të shkojë deri në 26 milionë euro. Kjo është shtrirja e dorës së qeverisjes për kategorinë e atyre që njihen si kategoria që punojnë me djersën e ballit e Rahoveci është sinonim i saj”, shtoi Peci.
Mesatarja vjetore e prodhimit është rreth 8 milionë litra vere në vit, ndërsa 7.3 milionë litra nga sasia totale ka destinacion eksportin, ka bërë të ditur ministri.
“Kur flasim për ‘Hardh Festin’, një aktivitet kulturor që qetë në pah vlerat kulturore dhe artistike të qytetarëve të Rahovecit dhe Kosovës, më lejoni të them se Ministria e Kulturës në tri vitet e ardhshme, duke përfshirë edhe këtë vit, pra 2024-2025-2026, ka dedikuar për këtë aktivitet 182 mijë euro. Jam mirëpritur anë e kënd Kosovës përgjatë detyrës sime si ministër por mikpritjen që e kam gjetur në komunën me bujqësore të Kosovës, në Rahovec është e veçantë. Vera e Rahovecit e cila prodhohet me standardet më të larta cilësore sot na bën krenar, të cilën e gjejmë me lehtësi në vendet e rajonit, BE e madje edhe në SHBA. Mesatarja vjetore e prodhimit është rreth 8 milion litra vere në vit, ndërsa 7.3 milion litra nga sasia totale ka destinacion eksportin”, ka thënë ministri Peci.
Kryetari i Komunës Smajl Latifi, ka thënë se festivali është kthyer në vlerë trashëgimie për këtë komunë.
Ai ka thënë se festa e vjeljes së rrushit është një “festë e bujqve dhe vreshtarëve tanë fisnikë”.
“Është kthyer në një ngjarje madhështore dhe shumë ngjyrëshe. Është bërë më të drejtë vlerë e trashëgimisë sonë të pasur kulturore të agroturizmit që po zhvillohet e po merr përmasa dhe vlerë e trashëgimisë së pasur natyrore që e kemi në zonën tonë. Festa e vjeljes së rrushit është një festë e bujqve dhe vreshatrëve tanë fisnik, për të ndarë me ne të mirat e tokës sonë, bereqetin dhe mundin e gjithë vitit me krenari të pamasë. Ata e mbledhin dhe e kultivojnë atë që tash njihet përtej kufijve tanë, verën dhe rakinë e Rahovecit. Komuna e Rahovecit në vazhdimësi ka qenë mbështetje e madhe për bujkun. E dimë që duhet bërë më shumë, ne zotohemi që do te zhvillojmë politika që do të ndihmojnë dhe nxisin prodhimtarinë vendore”, tha Latifi
Kryetari i Komunës së Gjakovës Ardian Gjini, ka thënë se verërat dhe rakitë e Rahovecit i shijojnë njerëz nga mbarë bota, falë vreshtarëve e falë kompanive të prodhimit.
“Kjo veprimtari është më të vërtet e jashtëzakonshme jo vetëm për Rahovecin, por edhe për të gjithë Kosovën. Kushdo që e viziton këtë trevë mbërrin me marr lakmi. Sot verën edhe rakinë e Rahovecit e shijojnë njerëz pothuajse nga e mbarë bota falë vreshtarëve të juaj, falë kompanive të juaja”, ka thënë ai. /EO