Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, u ka bërë thirrje partive tradicionale që t’i përjashtojnë “ekstremistët djathtistë”, pasi rezultatet preliminare treguan se partia e së djathtës ekstreme, Alternativa për Gjermaninë (AfD) ka dalë e para në zgjedhjet rajonale në një shtet gjerman, përderisa një forcë e re popullsitë e së majtës siguroi vend të peizazhin politik të vendit.
Votuesit në zgjedhjet që u mbajtën në lindjen ish-komuniste të Gjermanisë e bënë të qartë pakënaqësinë e tyre me partitë tradicionale të Gjermanisë, duke e vendosur AfD-në të parën në Turingi me 32,8 për qind të votave, ndërsa të dytën në Saksoni, me 30,6 për qind, sipas rezultateve preliminare, raporton gazeta “The Guardian”.
Kancelari gjerman i quajti rezultatet “të hidhura” dhe “shqetësuese”. “Vendi ynë nuk mundet dhe nuk duhet të mësohet me këtë. AfD-ja është duke e dëmtuar Gjermaninë. Ajo është duke e dëmtuar ekonominë, duke e përçarë shoqërinë dhe duke e shkatërruar reputacionin e vendit tonë” – tha ai, duke shtuar se parashikimet më të zymta – që partia e tij mund të mbetej jashtë kuvendit rajonal, nuk ishin realizuar.
Alice Weidel, bashkëkryetare e AfD-së, tha: “Është një sukses historik për ne. Është hera e parë që ne jemi bërë forca më e fuqishme në një palë zgjedhje shtetërore [rajonale]. Është rekuiem për këtë koalicion [në Berlin].”
Rezultatet në Saksoni dhe Turingi dolën katastrofale për tri partitë që e kanë pushtetin në nivelin qendror, secila duke shënuar përqindje njëshifrore të votave në të dyja shtetet lindore vetëm një vit para zgjedhjeve të përgjithshme në Gjermani.
AfD-ja, e themeluar vetëm 11 vjet më parë, i kishte siguruar postet e para në distrikte e komuna vitin e kaluar, por kurrë nuk ka qenë pjesë e një qeverie shtetërore [rajonale]. Pjesa tjetër e partive demokratike janë zotuar se do të mbajnë në fuqi një “mur zjarri” të kundërshtimit ndaj bashkëpunimit me AfD-në për ta mbajtur jashtë pushtetit.
Edhe pse rezultati i këtyre zgjedhjeve ishte i pritshëm para disa muajve, partitë e qendrës nuk arritën që ta ndryshonin rrjedhën e kësaj fryme dhe rezultatet shkaktuan shok në komunitetin politik. Pjesëmarrja në votim në të dyja shtetet ishte e lartë – 74 për qind.