Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe aktivisti i kauzës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Faton Bislimi thotë se emërimi i Alexander Kasanof nga Departamenti Amerikan i Shtetit si zëvendës-ndihmës sekretar për Ballkanin Perëndimor është lajm i mirë për Kosovën dhe tërë rajonin. Ai thekson se diplomati amerikan që pason Gabriel Escobar njihet si “anti-rus”, mirëpo shton se politika e jashtme amerikane do të vazhdojë të jetë e njëjtë me Kosovën dhe tërë rajonin, pasi e njëjta nuk ndryshon nga individi në individ.
Sipas tij, Qeveria e Kosovës dhe tërë klasa politike duhet të bashkëpunojë miqësisht me Kasanof, në mënyrë që interesat dhe argumentet e Kosovës të trajtohen drejt nga ShBA-ja.
Bislimi në një intervistë për KosovaPress flet për presionin amerikan për themelimin e Asociacionit, raportet e kryeministrit Albin Kurti me administratën amerikane si dhe zgjedhjet e nëntorit në SHBA dhe ndikimin në Kosovë.
“Emërimi i zotëri Kasanof në detyrën e ndihmës zëvendës sekretarit të shtetit për çështjet e Ballkanit Perëndimor është vazhdimësi e rotacioneve që ndodhin në Departamentin e Shtetit. Kjo është një seriozitet i shtuar që mos të lihet ajo pozitë vakante, që përbënë një lajm të mirë në kuadër të interesimit të vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës karshi Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht dialogut Kosovë-Serbi. Shpresoj që Qeveria e Kosovës dhe klasa politike kosovare do të arrijë të bashkëpunojë miqësisht me zotëri Kasanof që interesat dhe argumentet e Kosovës të mirëkuptohet, të trajtohen drejtë dhe që angazhimi të jetë më i shtuar drejt përfundimit të dialogut Kosovë-Serbi…Politika e jashtme e Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk është politik at-hoc, ajo nuk ndërron prej individit në individ. Përtej kësaj politika e jashtme amerikane e ka për bazë interesin gjeopolitik dhe gjeostrategjik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Fati jonë i mirë ka qenë që interesat tona shtetërore dhe kombëtare të jenë në një linjë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thekson ai.
Megjithëkëtë, Bislimi deklaron se insistimi amerikan do të jetë në vazhdimësi që Kosova t’i përmbushë obligimet e veta në dialog, drejt zbatimit të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
Sipas tij, fokus do të jetë edhe themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mirëpo konsideron se pala kosovare duhet të insistojë që i njëjti të jetë në përputhje me Kushtetutën.
“Insistimi amerikan do të jetë në vazhdimësi që Kosova t’i përmbushë obligimet e veta. Është e qartë që ne shpeshherë dëshpërohemi nga ideja se miqtë tani po i bëjnë presion Kosovës më shumë sesa Serbisë për t’i përmbushur obligimet. Mirëpo është interes i joni gjeostrategjik që obligimet e mara ndërkombëtare t’i trajtojmë deri në fund dhe ti zbatojmë. Normalisht ne kemi mundësi që në zbatimin e tyre ti kemi të gjitha siguresat politike për Asociacionin, siç është Gjykata Kushtetuese dhe premtimi zyrtar publik të aleatëve që ky lloj Asociacioni që Serbia insiston të bëhet në Kosovë të jetë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën dhe asnjë mënyrë me diçka siç është Republika Srbska në Bosnje”, deklaron Bislimi.
Duke folur për zgjedhjet e nëntorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe tërheqjen nga gara e presidentit Joe Biden, ai deklaron se të njëjtat janë të rëndësishme për Kosovën, mirëpo shtoi se institucionet duhet të punojnë në dy drejtimet, si me demokratët po ashtu edhe republikanët.
“Zgjedhjet e nëntorit janë shumë të rëndësishme edhe për neve. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë me të gjithë miqtë tanë, demokrat dhe republikan në mënyrë që krijojmë afërsinë që na duhet. Të krijojmë mundësinë e hapjes së dyerve që na duhen pa marrë parasysh rezultatet e nëntorit. Kushdo që do të përfundojë si shef i Shtëpisë së Bardhë, demokratët apo republikanët e rëndësishme për neve është që në Kongresin e SHBA-së, aty ku vendosen kupola e politikës së jashtme amerikane ne të kemi fuqinë që duhet të kemi. Këtë fuqi ne e arrijmë përmes intensifikimit të marrëdhënieve tona me anëtarët e kongresit, senatorët e ndryshëm dhe njerëzit e politikës amerikane që kanë rëndësi në opinionin publik”, thekson Bislimi.
Sa i përket raporteve të kryeministrit Albin Kurti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish deputeti i LDK-së thotë se ka pasur luhatje të raporteve, mirëpo thekson se është ekzistenciale për Kosovën që të ruhet aleanca me amerikanët.
“Është esenciale për neve, ekzistenciale që këtë marrëdhënie ta ruajmë, ta sforcojmë dhe ta qojmë përpara karshi interesave tona si shtet dhe si komb. Çfarëdo lajthitje nga marrëdhënia unike dhe permanente që kemi me SHBA-në nuk i ndihmon interesit afatgjatë të Kosovës. Nuk besoj se trason rrugën tonë të ambicieve politike karshi integrimit në BE dhe sidomos në NATO. Anëtarësimi në NATO do të jepte fundin përfundimtar të çfarëdo ambicie të Serbisë për Kosovën”, thekson Bislimi.
Krahas kësaj, ai kërkon nga spektri politik në Kosovë që të kenë një unifikim sa i përket politikës së jashtme dhe ruajtjes së aleancave me partnerët ndërkombëtarë.