Pas vrasjes së një polici serb dhe plagosjes së kolegut të tij të policisë kufitare në Loznicë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka dhënë sinjale për kujdes të mërgimtarëve nëpër Serbi.
Koha e ardhjes së mërgimtarëve për pushimet verore në vendlindje është në vlug e sipër, prandaj rasti i atentatit ndaj dy policëve serbë në Loznicë paraqet rrezikshmëri, pasi udhëheqja e Serbisë nga Vuçiq te Daçiq, po kërkon balancim të këtij rasti me Banjskën, duke e kualifikuar si akt terrorist.
Në Kosovë ekspertët e sigurisë, e shohin Loznicën si pikë referente për aksione të paramenduara të Serbisë duke e ndërlidhur ngjarjen me implikim të shtetit të Republikës së Kosovës.
Kryeministri Kurti në prononcimin e tij rreth këtij problemi ka apeluar autoritet serbe “që rasti të mos politizohet”, por të presin rezultetet e hetimit në terren dhe në Gjermani, pas të cilave do të qartësohen pistat e hetimeve.
Në kundërpërgjigje të arrestimeve të serbëve për krime lufte në Kosovë dhe për arrestimet rreth ngjarjeve në veri të Kosovës, në territorin e Serbisë janë arrestuar shumë shqiptarë me akuza të pa qena si pjesë e UÇK-së.
Rashit Çalaj, aktualisht deputet në Kuvendin e Kosovës dhe ekspert e ish zytar për siguri, ka thënë se kalimtarët nëpër Serbi, pa marrë parasysh kush janë ata, mirë është të shfrytëzojnë rrugë tjera rajonale dhe shtetërore jashtë Serbisë për të arritur në Kosovë.
“Mendoj që pas rastit të vrasjes së një polici serb dhe plagosjes së një tjetri në rrethana ende të pa sqaruara mirë, qytetarët nga Kosova dhe mërgimtarët tanë është mirë që ta shmangin udhëtimin nëpër territorin e Serbisë. Kjo duhet të bëhet për shkaqe sigurie. Në rast se vendosin të përdorin territorin e Serbisë për të ardhur në Kosovë, apo për të dalur nga Kosova, ata duhet të përdorin vetëm rrugët kryesore dhe gjithsesi të udhëtojnë në grupe dhe po ashtu të udhëtojnë vetëm gjatë ditës. Prapë po e them se kishe me qenë mirë që për një kohë mos të shfrytëzohet territori i Serbisë për arkullim rrugor”, ka deklaruar Çalaj për Telegram News.
Ish drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Çalaj, ka thënë se kryeministri Kurti është dashur ta denojë aktin e vrasjes në Loznicë.
“Kryeministri i Kosovës është dashur ta denojë vrasjen e një polici kufitar serb dhe plagosjen e kolegut të tij si policë kufitarë para se të kërkojë mos politizimin e rastit”, ka pohuar Çalaj të premten.