Gjykata Kushtetuese ka marrë vendim të enjten për Ligjin për Investime të Qëndrueshme, i cili është dërguar në gjykatë nga Ferat Shala mbështetur dhe nga nëntë deputetë tjerë të PDK-së.
Sipas vendimit të gjykatës është konstatuar se ligji në fjalë nuk ka shkelje në nenet 21, 35, 52 dhe 53, të cilat janë kontestuar nga deputetët e PDK-së.
“Gjykata, ka vendosur që (i) njëzëri, të deklarojë kërkesën e pranueshme; dhe (ii) të konstatojë, njëzëri, që nenet 21 (Këshilli), 35 (Përzgjedhja e veçantë e investitorit), 52 (Dispozitat kalimtare) dhe 53 (Shfuqizimi) të Ligjit nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme, nuk janë në kundërshtim me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat], paragrafët 1 dhe 2 të nenit 119 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafin 2 të nenit 122 [Përdorimi i Pasurisë dhe Burimeve Natyrore] të Kushtetutës; dhe (iii) njëzëri, të shpallë që, në bazë të nenit 43 (Afati) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Ligji nr.08/L-209 për Investime të Qëndrueshme, i dërgohet Presidentes së Republikës së Kosovës për shpallje”, thuhet në vendimin e Kushtetueses”.
Kuvendi i Kosovës, një vit më parë ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për investime të qëndrueshme.