“Samiti i Paqes në Zvicër është vendimtar për të ndaluar tragjedinë njerëzore në Ukrainë”, kështu tha Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
“Ne kemi përgjegjësinë të hapim rrugën drejt paqes, duke siguruar që çdo hap largohet nga lufta dhe konflikti. Agresioni rus shkel parimet themelore të Kartës së OKB-së dhe ligjet ndërkombëtare, duke kërcënuar paqen në Evropë”, tha Begaj.
Presidenti shqiptar tha se është e rëndësishme të ndërtohet një marrëveshje paqeje midis Ukrainës dhe Rusisë dhe që të dy shtetet të bashkëjetojnë paqësisht brenda kufijve të tyre të njohur ndërkombëtarisht.
“Shqipëria mbështet formulën e paqes së Presidentit Zelenski për të siguruar një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën. Ne do të vazhdojmë të mbështesim Ukrainën derisa të arrihet paqja, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të saj dhe duke mbajtur përgjegjësi për veprimet e Rusisë”, theksoi Begaj.
Presidenti përfundoi duke shtuar se rruga drejt paqes nuk duhet të jetë një rrugë dorëzimi, por një rrugë që ndërtohet me guxim për të mbajtur lart vlerat tona dhe për të inkurajuar zgjidhje të drejta dhe paqësore që respektojnë të gjithëve. /Telegrami/