Kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Berat Gjimshiti, doli pasditen e kësaj të premteje në konferencën zyrtare për media në prag të ndeshjes debutuese në Euro 2024 që Shqipëria do të zhvillojë ditën e nesërme ndaj Italisë.
Ky takim është planifikuar të nisë në ora 21:00 në stadiumin e Dortmundit.
Gjimshiti vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, për emrin dhe futbollistët që ka, teksa theksoi se është shumë e rëndësishme një nisje e mbarë e Kampionatit Evropian, për të shpresuar në një rrugëtim të gjatë të Shqipërisë në këtë garë.
Ndeshja me Italinë do të jetë shumë e rëndësishme edhe për ecurinë në Europian? – Sigurisht që të tre ndeshjet janë shumë të rëndësishme, por nëse e nisim me këmbën e mbarë, mund të kemi në ndihmë dhe një motivim më shumë për të ecur përpara. Një rezultat pozitiv ndaj Italisë mund të jetë një shtysë më shumë për ndeshjet e tjera.
Do të keni një duel me shokun tuaj të skuadrës, Scamaccën. A keni folur me të gjatë kësaj kohe dhe çfarë mund të presim në fushë? – E njoh shumë mirë, pasi kemi luajtur bashkë për një sezon të tërë. Që nga festa kur fituam Europa League, nuk kemi folur bashkë, por nuk do të jetë me rëndësi Gjimshiti-Scamacca, por në tërësi ndeshja Shqipëri-Itali.
Në miqësoret e fundit Italia ka vuajtur jo pak. A është ky një kurth i tyre? – Sigurisht që i kemi ndjekur ndeshjet e fundit të Italisë dhe trajneri na ka evidentuar forcën e tyre, ku duhet të tregojmë kujdes. Analiza nevojitet për ndeshjen e nesërme dhe besoj se jemi përgatitur mirë për të qenë gati.
Në këtë Shqipëri, çfarë ka nga Seria A dhe futbolli italian? – Ka shumë nga futbolli italian, pasi jo vetëm që jemi shumë futbollistë që luajmë në Itali, por edhe trajneri ka një eksperiencë të rëndësishme në Serinë A. Luajmë aty dhe njohim shumë mirë kundërshtarët tanë, por e dimë mirë që kemi përballë Italinë, kampionen në fuqi dhe që luan në të tilla kompeticione për të fituar, ndaj duhet të bëjmë kujdes.
Shumë prej futbollistëve të Shqipërisë, janë fëmijë emigrantësh që kanë lindur dhe janë rritur në vende të tjera, por që përfaqësojnë vendin e tyre? – E vërtetë. Shumë prej nesh jemi lindur apo rritur në vende të tjera, por jemi shqiptarë. Në shtëpitë tona flitet shqip dhe jemi rritur me dashurinë për vendin tonë. Jemi të lumtur që përfaqësojmë vendin tonë.
Keni fituar edhe Europa League këtë sezon me Atalantën. Cilat janë njohuritë apo emocionet që keni fituar në këtë kompeticion dhe që do të donit t’i transmetonit të shokët e skuadrës? – Triumfi në Europa League ka qenë rezultat i një procesi pune që ka nisur shumë kohë më parë. Ne jemi të përgatitur të bëjmë maksimumin për të fituar në çdo ndeshje. Jemi përgatitur të bëjmë më të mirën dhe shpresojmë që të na shkojë mirë.
A mund të na tregoni se çfarë ka sjellë puna e trajnerit te ju? – Puna e tij na ka përmirësuar shumë, prej më shumë se një viti që kur ka ardhur. E dimë si punon çdo ditë për të na ndihmuar. Ka qenë një futbollist i madh dhe një motivator i jashtëzakonshëm. Jemi këtu duke kaluar nëpërmjet një grupi të vështirë dhe kemi marrë shumë komplimente, jo vetëm ne, por edhe stafi e trajneri.